Lutjet s’e turpërojnë Albin Kurtin
Nga Getoar Mjeku

Pas sa javësh përpjekjeje për koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje tani është bërë pre e kritikave të të vetëve. Duke iu lutë si për gjak një partie me plot huqe, po thonë, po ia rrit arrogancën e po ia fryn rëndësinë politike. Me një fjalë, Albin Kurti dhe udhëheqja e Vetëvendosjes po bëjnë fushatë për LDK-në.
Të tjerët madje e përshkrujnë Lëvizjen si parti të dëshpëruar, të pasigurt në fuqinë e saj politike, të dërrmuar pas largimit të 12 deputetëve që sot janë në Partinë Socialdemokrate, dhe të pafuqishme për ta ndjekë rrugën e dikurshme që e qujnë radikale.
Ndërkaq, ia përmendin Albin Kurtit të gjitha kritikat që ka pasë dikur për akademik Isa Mustafën, kreun e LDK-së. Dhe duke i krahasu kritikat me lutjet e sotme, e gozhdojnë Kurtin në murin e atyre që shkelin parimet.
Por shpresa për koalicion parazgjedhor është çkado pos dobësi a shkelje parimesh jo. Vetëvendosja i heton mirë prirjet e votuesve, e kupton si funksionon demokracia parlamentare, e njeh domosdoshmërinë e bashkëpunimit, dhe e dallon se kush mundet me pru ndryshim në Dardani. Andaj kërkon me ngulm koalicionin parazgjedhor.
Partitë e mëdha — LDK, Vetëvendosje, AAK e PDK — po dalin si ngatangat njëra-tjetrës në sondazhet e mbrame, dhe asnjëra nuk pritet t’i fitojë zgjedhjet bindshëm si parti e vetme.
Por në sistemin tonë ka dy lloje të fitores: (1) me fitu shumicën (absolute) në Kuvend dhe me formu qeverinë vetë, që nuk ka ndodhë asnjëherë pas lufte, dhe (2) me dalë i pari në zgjedhje.
Më 2014, Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë se partia e parë propozon kandidatin për kryeparlamentar dhe mandatarin e parë për kryeministër. Kurse më 2017, u bindëm si opozita e përçarë humb zgjedhjet edhe me 55 për qind të votave.
Të bindur se koalicionet janë të domosdoshme, qytetarët parapëlqejnë marrëveshje parazgjedhore që shmang paqartësitë e pazaret jodemokratike fill pasi të shpallen rezultatet. Asnjë koalicion nuk përmendet ma shumë e ma shpesh se dyshja LDK–VV ose VV–LDK.
Koalicioni jo vetëm se kish me fitu me shumicë, por kish me siguru ma shumë ulëse në Kuvend se ç’do të merrshin dy partitë veç e veç. Së pari, ndihmon formula e ndërlikuar për ndarjen e vendeve sipas rezultateve. Së dyti, ndihmojnë votuesit apatikë që përnjëherë zgjohen nga gjumi kur dëgjojnë këmbanat e një aleanca të madhe për shkapjen e shtetit.
Lista e përbashkët LDK–VV do t’u hapte dyert emrave të rij, që tani ngurrojnë të rreshtohen pas cilësdo parti. Këta padyshim bijnë edhe vota.
Ndërkaq, do rehatonte problematikët e partive — grupet me qasje radikale, me bindje pro-SHIK, ose me të kaluar të dyshimtë kriminale. Nga frika e përçarjes, partia vetë nuk ka guxu me i largu këta fatzij. Madje, siç e pamë në zgjedhjet e brendshme të LDK-së, u ka lëshu goxha pe, duke i pranu në organet drejtuese të partisë dhe duke votu hatri i tyre një kryetar kompromisi. Koalicioni ua truzon fuqinë, duke i bindë njëherësh se s’kanë rrugë tjetër pos me punu për të mirë.
Albin Kurti i kupton këto rrethana. Ndërsa përkrahësit e tij e nxisin të shqyrtojë aleancën edhe me parti të tjera, sepse me përgjërimet e tij LDK-së i është shtu arroganca, Albin Kurti po këmbëngul në zgjidhje parimore. Ai po lyp partner për ta shkapë shtetin, jo për ta marrë medoemos pushtetin.
Dhe këtu qëndron përparësia që Kurti ka ndaj udhëheqësve të tjerë në Kosovë. Këtë përparësi e ka edhe ndaj prijësve të LDK-së, tani që kjo parti po refuzon paarsyeshëm mundësinë e koalicionit parazgjedhor.
Fill pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, Albin Kurti tha se ka ardhë koha që opozita e vërtetë t’i fitojë zgjedhjet. Për të, opozitë e vërtetë ishin Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja.
Ai e kupton se këto janë të vetmet parti në Kosovë që kanë një profilizim të qartë politik, dhe janë të vetmet që mbajnë lidhje me grupime ndërkombëtare të partive simotra. LDK-ja është pjesëtare e Partisë Popullore Evropiane, kurse Vetëvendosja bashkëpunon me Internacionalen Socialiste. Në demokraci të shëndoshë, do të duhej të ishin rivale që garojnë për pushtet; në rrethanat tona, duhet të farkëtojnë një ball kombëtar, një front nacional, për ta shpëtu vendin nga pushteti i mbrapshtë.
Albin Kurti e kupton gjithashtu se këto janë partitë e vetme të mëdha që — përkundër të metave — nuk kanë gisht drejtpërdrejt në kapjen e shtetit. Ato kanë njerëz profesionistë e të përkushtuar në mesin e tyre. Ata kanë dhënë kontributin e tyre për Kosovën në shumë raste, dhe tani duhet të bashkëpunojnë për ta çliru vendin një herë të mbramë. Kurti nuk ka ndërru mendje. Ai po tregon hirin e tij për hir të një ideali.
LDK-ja po e shkagon, dhe kjo mund të ndryshojë shumçka. Vetëvendosja mund t’u hyjë zgjedhjeve e vetme dhe të fitojë mu duke e goditë LDK-në për refuzimin, për rrezikun e koalicionit me PDK-në, dhe për pazaret politike që i shkojnë për shtat SHIK-ut. E kur të fitojë, Lëvizja do të detyrohej të negociojë sërish me Lidhjen «e keqe». LDK-ja mund të dalë e para në zgjedhje, dhe pastaj të bëjë koalicion me një parti të pushtetit. Në fund, mund të dalë se Albini se ka gjyku gabimisht për partnerin e mundshëm.
Por s’do të dalë asnjëherë se Albin Kurti ka braktisë parimet e veta. Tani ai po bën gjënë e duhur: po u lutet kundërshtarëve të vet me bashkëpunu për të mirën e Kosovës.
Nëse ne nuk mund ta pranojmë një Vetëvendosje demokratike e bashkëpunuese, dhe nuk mund ta honepsim një Albin Kurti të urtë me takt rugovian, nuk është pse ata kanë ndryshu në thelb. Thjesht, nuk i kemi njohë siç duhet.


Largimi i Agron Tufës sjell reagime në Shqipëri
Bexheti: Ligji i përdorimit të gjuhës nuk duhet të ndryshohet
Albin Kurti: S’ka ende marrëveshje me LDK-në, por nëse jo vendi shkon në zgjedhje
SHBA i “tërheq veshin” Vuçiç: Retorika nxitëse për ngjarjet e vitit 1999, e papranueshme
Drejtësia sociale, kryesojnë vendet nordike. Në krye edhe Hungaria me Poloninë, Sllovenia “del” nga Ballkani
Serbia bëhet me helikopterë të rinj nga Rusia
Kërcënon Albin Kurti: Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje
Bagdat, dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz,njoftime lokale pune, trajnime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2019 www.newzmagnet.com