Bie serveri online i shitjeve të biletave për Kosovë-Angli, interes i jashtëzakonshëm nga tifozët
Kosova do të luajë dy ndeshjet e saj më të rëndësishme ndaj Çekisë dhe Anglisë.

Dy takime që do të vendosin fatin e “Dardanëve” të cilët janë në garë për të siguruar një vend në fazën e grupeve të “Euro 2020”.
Për të parë takimin ndaj “Tre Luanëve” në stadiumin “Fadil Vokrri” ditën e dielë ka një interes të jashtëzakonshëm nga tifozeria vendase.
Kjo gjë u vu re ditën e sotme ku në momentin e shitjeve të biletave online nga fluksi i madh ka rënë serveri i faqes.
“Nga fluksi i madh i klikimeve, ka rënë serveri i faqes online. Shitja do të nisë sot, menjëherë pas ndreqjes së defektit”, ka njoftuar kompania Tiks.
Ndeshjen e parë Kosova e ka në transfertë ndaj Çekisë më 14 nëntor, ndërsa sfida tjetër luhet të dielën më 17 nëntor kundër Anglisë. (TemA)