Paqartësitë e orës zero për taksën 100 përqind
Nga Mero Baze

Qeveria e re e Kosovës ka premtuar se do të heqë taksën 100 përqind për mallrat serbe dhe ato të Bosnjë Hercegovinës, në shkëmbim të reciprocitetit me Serbinë.
Vendimi i cili është premtim edhe i fushatës elektorale të dy partive të koalicionit qeveritar, pritet të merret sa më shpejt, edhe për shkak të presionit të SHBA dhe BE, të cilat duan t’i hapin rrugë fillimit të dialogut me Serbinë.
Deri këtu jemi në kushtet e hartimeve patriotike diplomatike.
Problemi është si do të veprohet konkretisht, pasi taksa 100 përqind është e heqshme me një vendim, ndërsa reciprociteti është proces.
Reciprociteti me Serbinë është në të vërtetë thelbi i gjithë procesit të bisedimeve për marrëveshje me Serbinë. E gjithë marrëveshja nënkupton thjesht reciprocitetin, pra lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, njohjen e diplomave, liberalizimin e tregut të punës dhe gjithë axhendën që përmban projekti i Minishengenit.
Është e neveritshme se si ti nuk udhëton dot nga Kosova për në Serbi, nëse shkon nga Shqipëria, është poshtëruese se si të ngjisin një letër mbi targë nëse ke veturë me targa të Kosovës, është racizëm se nuk njohin në Preshevë diplomën e një mjeku nga Kosova, e plot histori të tjera, prodhuar nga mendje nacionaliste serbe.
Njëra mund të hiqet për një ditë, kurse tjetra mund të bëhet, (nëse bëhet) për shumë kohë, ose ndoshta kurrë.
Ta thuash që do ta heq në këmbim të reciprocitetit ngjan shumë dinjitoze, por njëkohësisht dhe shumë dogmatike për të çuar përpara procesin.
Fjalia e duhur që mund t’i hapte rrugë bisedimeve, është që do ta heqim në shkëmbim të premtimit të SHBA e BE për reciprocitetin, pasi nëse thua do ta heq kur të kemi vendosur reciprocitetin, i bie të thuash që nuk do ta heq, ose siç thotë Ramushi, “s’po du”.
Dhe nëse nuk kanë për ta hequr, le mos ta heqin, por mos të krijojnë pritshmëri të kota.
Taksa u vendos në fakt për të bllokuar bisedimet e nxitura nga presioni amerikan, pavarësisht fasadës patriotike që ju vesh. Dhe këtë e kuptuan mirë dhe SHBA me BE.
Tani nëse do të hiqet nën garancitë e tyre, kjo është një çështje tjetër, e ndarë nga ky premtimi letraresk që do hiqet në shkëmbim të reciprocitetit.
Ajo qeveri e Kosovës që do vendosë reciprocitetin me Serbinë është qeveria që do pamvarësojë përfundimisht Kosovën, si një proces i pakthyeshëm. Deri atje të gjithë jemi të qartë që është rrugë e gjatë dhe me shumë kushtëzime.
Jam i prirur të besoj ata që thonë se Albin Kurti është negociator i fortë, por fakti që ai u dorëzua dhe para Isa Mustafës, nuk më lë shpresa të besoj që do mundë Vuçiçin.
Deri atëhere, Kosova duhet të ruajë si balancë force aleancën me SHBA dhe BE.
Dhe këtu gjithë procesi hyn në një zonë të pasigurtë.
Ora zero e heqjes së taksës për BE e SHBA, nuk është ora që dhe Serbia e ka njohur Kosovën. Po të ishte kjo orë, mirë është taksa, dhe presim atë ditë. Por drejt asaj dite, nuk është e mundur të shkohet me taksën.
Qeveria e Kosovës kam frikë se vetë është e paqartë për këtë situatë, pasi LDK është më shumë në anën e SHBA e BE, dhe Kurti më shumë në kurthin e populizmit të tij.
Sidoqoftë tani nuk është më koha të dëgjojmë hartime, por akte reale, që sjellin pritshmëri realiste. Nuk ka arsye që dikush të na gënjejë, që edhe taksën do ta heqim, edhe reciprocitetin do ta vendosim brenda ditës.
Së paku të bëjnë një listë prioritetesh, që nënkupton fillimin e reciprocitetit. Reciprociteti final është njoha e Kosovës nga Serbia. Dhe deri atje, nëse shkohet me taksën në fuqi, por pa SHBA e BE në krah, s’di kush do ta marrë seriozisht Albinin.


Ngërçi i fitores mbi Covid19
Tradhti për Albinin, do të ishte po të mos ndryshonte!
Epidemia e terrorit e Sali-virusit
Hera e dytë, si pasardhës kufomash
Hera e dytë, si pasardhës kufomash

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz,njoftime lokale pune, trajnime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2019 www.newzmagnet.com