Aktorët shqiptarë të “Mëngjesit të Lutjeve”, si aktorët e Lulzim Bashës
Nga Mero Baze

“Mëngjesi i Lutjeve” është një pasqyrë që u vihet para politikanëve nga shumë vende të botës, që duan ta shikojnë veten sikur janë në SHBA. Është një organizatë fetare, me lidhje të forta në Uashington që përdor eventin e quajtur  “Mëngjesi i Lutjeve”, për t’u krijuar iluzion njerëzve që në përgjithësi kanë probleme me Uashingtonin zyrtar, që të ndjehen “të përfillur prej SHBA”.
Kjo organizatë bën shpeshherë dhe plot shërbime të mëdha, për liderë apo vende në nevojë që injorohen nga Perëndimi, duke ngritur zërin e tyre dhe duke u krijuar mundësi kontakti me politikën zyrtare të SHBA.
Por në shumicën e rasteve, është histori e njerëzve që paguajnë për t’u dukur në SHBA.
Aventura e Fatmir Mediut këtë fundviti që shkoi për të siguruar vizën drejt SHBA, është komike. Për shkak se ambasada e SHBA ka reduktuar vizat për politikanët shqiptarë që shkojnë si turistë në SHBA dhe jep viza vetëm për udhëtime zyrtare, shoqëruar me nota zyrtare, ai dështoi të merrte vizë si këshilltar i Kontrollit të Shtetit, si drejtues i një OJQ-je që ka regjistruar vetë dhe si ish deputet në Parlament.
Më në fund e mori me një notë nga Ministria e Jashtme, pasi përfshiu në delegacion dhe disa zyrtarë socialistë që të dukeshin grup.
E njëjta gjë me Presidentin Ilir Meta, por ky akoma nuk ka problem vize sa të jetë President, por ka probleme axhende. Është Presidenti që ka bërë thirrje kundër “Republikës së Ambasadorëve”, që ka sulmuar Ambasadorin Palmer si të dërguar të SHBA për Ballkanin dhe tani është dorëzuar tek një organizatë fetare në “Mëngjesin e Lutjeve”, për të fshirë  mallkimet që bën natën.
Ramush Haradinaj nga Kosova, është po aty, për t’u fotografuar në Uashington, pasi ka humbur pushtetin në Kosovë, dhe pasi u përplas fort me SHBA për shkak të karshillkut që i bëri iniciativës amerikane për bisedimet Kosovë- Serbi.
Presidentët që janë tek “Mëngjesi i Lutjeve” dalin në foto dhe me Presidentin e SHBA, të tjerët paguajnë për tavolina të rëndësishme.
Siç duket dhe nga fotot, Sekretarin Pompeu politikanët shqiptarë nuk e kanë lënë të konsumojë darkën, pasi tek sallata është fotografuar me Metën, tek bifteku me Haradinajn e tek kafja me të tjerë.
Po të llogaritësh numrin e politikanëve shqiptarë në “Mëngjesin e Lutjeve” dhe ta krahasosh, me përbërjen e politikanëve nga vende të tjera të botës në të nëjtën darkë, Shqipëria mund të duket komb më i madh se Amerika. Arsyeja është se, asnjë vend në botë nuk ka aq shumë politikanë, që mendojnë se fotot në SHBA i shpëtojnë nga problemet.
Por në fakt, njerëzit, që e dinë më mirë se kushdo tjetër se çfarë është “Mëngjesi i Lutjeve”, janë pikërisht drejtuesit e Uashingtonit, Presidenti i SHBA,  Sekretari i Shtetit dhe të tjerë. Sa më shumë shqiptarë shikojnë aty, sa më shumë u ulen në tavolina dhe i tërheqin nga xhaketa për të dalë në foto, aq më shumë ata kuptojnë se ky vend ka probleme dhe në vend që të harxhojë energji për ndryshim, po harxhon miliona për lobim.
Është pak a shumë ajo që i ndodh Lulzim Bashës kur del në terren. Të gjithë e dinë që ai e ka problem serioz të qenurit fallco. Dhe për ta shmangur këtë, në fushatën e tij të fundit qesharake, për të “dëgjuar” njerëz, ai shkon e zgjedh dhe aktorët fallco. Nuk di kë bind me këto gjëra se njerëzit e vërtetë që e shikojnë, e kuptojnë që ata që ai takon e flet, nuk flasin si njerëz normalë, por si aktorë të dështuar.
Shqipëria është ndoshta dhe më keq se ajo që tenton të paraqesë Lulzim Basha, por shqiptarët janë shumë më normalë se ai dhe aktorët e tij.
Edhe këta politikanët tanë që mendojnë se do rehabilitohen duke dalë në foto në “Mëngjesin e Lutjeve”, harxhojnë para kot, pasi SHBA e di hallin e atyre që takon në “Mëngjesin e Lutjeve”, siç di një prift hallin e atyre që shkojnë të luten në Kishë. U shkon lutja kot.
 


Ngërçi i fitores mbi Covid19
Tradhti për Albinin, do të ishte po të mos ndryshonte!
Epidemia e terrorit e Sali-virusit
Hera e dytë, si pasardhës kufomash
Hera e dytë, si pasardhës kufomash

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz,njoftime lokale pune, trajnime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2019 www.newzmagnet.com