Teatraliteti i opozitës në sheshin para Teatrit
Nga Mero Baze

Deri para pak kohësh debati mbi Teatrin kishte një dimension që i takonte dhe interesit publik. Ishte çështja e ndërtimit të tij, përmes një kontrate të partneritetit public- privat, ku investitorit i ofrohej tokë në shkëmbim të parave për Teatrin.
Pas shumë debatesh e mëdyshjesh dhe nga vetë Qeveria, por sidomos nga Bashkimi Europian, kjo çështje u mbyll. Qeveria u tërhoq nga ideja që Teatrin e ri ta ndërtonte pa lekë, po përmes dhurimit të një pasurie publike, që ishte toka rrotull Teatrit.
Biles fillimisht ky ishte dhe thelbi i debatit. Aktorët e Teatrit dhe aktorët publik, u ndanë dhe pro dhe kundër, pikërisht në këtë çështje.
Tani debati është i pastër politik. Qeveria do të ndërtojë një Teatër të ri, në tokën ku është Teatri, dhe ka një kundërshti politike, që nuk duan Teatër të ri, por duan këtë që është.
Këtu debati nuk është më për interesin publik, por për axhenda të ndryshme politike, të cilat i çertifikojnë zgjedhjet dhe jo celulat e PD.
Aktivistët e shoqërisë civile, brenda të cilëve shquan celula e Teatrit në PD, tashmë është përçarë, dhe në mbrojtje të Teatrit të vjetër është PD.
Nuk e di për çfarë ka nostalgji më tepër, për godinën e Teatrit, apo për produktin e Teatrit, por e gjitha është një teatralitet politik, i cili nuk ja vlen më të jetë pjesë e debatit publik.
Ndërtimi i një Teatri të ri, që e kërkojnë shumica e aktorëve të afirmuar të skenës shqiptare, por që është dhe pjesë e planeve zhvilluese të Qeverisë, kundërshtohet nga një celulë e PD në Teatër. Kjo cellule, pjesë e rëndomtë e debateve të viteve të fundit, që ka kundërshtuar çdo gjë të re në Tiranë dhe që ka kulmuar me betejën kundër ndërtimit të një këndi lojërash në Parkun e Liqenit.
Të gjitha ato beteja i humbën, me përfitimin që disa prej tyre, po i shijojnë ato vepra publike duke shëtitur apo nxjerrë fëmijët për argëtim.
Parku i Liqenit në Tiranë, është bërë një nga parqet më të mira në Ballkan, dhe ndoshat e vetmja pasuri reale që ka sot Tirana, e mire-organizuar, i përdorshëm nga çdo qytetar, në çdo orë të ditës dhe natës, dhe për herë të parë në historinë e tij, është plot jetë.
Po ti ishte hapur rruga “aktivistëve” të PD, të mbështetur me aq sa mundte fizikisht edhe nga presidenti Nishani, sot do ishim pa atë park.
Ndëtimi i një Teatri të ri modern në Tiranë, me paratë e Qeverisë, është një detyrë e Qeverisë. Transparenca e fondeve, e tenderit dhe ajo që ka më shumë rëndësi, e mënyrës se si do të menaxhohet më pas Teatri, janë dhe pjesë e axhendës së opozitës. Por vendi nuk qeveriset nga pakicat e frustruara, por nga ligjet dhe vendimet e shumicës.
Këtu kanë shanse të bëjnë opozitë, ta çojnë në Prokurori nëse kanë dyshime. Aktorët e mërzitur duhet të përpiqen të mbijetojnë në një shoqëri tregu, edhe si artistë, jo vetëm si rrogëtarë parazitë, me një rrogë qyl nga Teatri, e një rrogë nga PD.
“Alarmi” pse Teatri ka kaluar nga pronë e Qeverisë në pronë të Bashkisë, është akoma më banal. A thua këta aktivistët janë më të sigurtë, sikur prona të jetë në dorë të Edi Ramës, se sa në dorë të Erion Veliajt. Nuk e kemi pas ditë këtë shkallë të lartë besimi që paskan pas për Edi Ramën.
I gjithë ky teatralitet tani është në shtratin e vet politik, një “déjà vu” e gjithë lëvizjeve çartiste kundër ndryshimeve në Tiranë, që PD i ka në arkivën e saj historike.
Edhe ky konspiracioni që Erion Veliaj do ta prishë Teatrin një natë gushti, kur këta të jenë në plazh me brekë dhe të mos kenë mundësi ta mbrojnë, është një episod i shquar i këtij teatraliteti.
Në ditën që Bashkia ka një projekt të përfunduar urbanistik, të kompletuar, me konstruksionin dhe koston e tij, dhe e hedh në tender, puna për Teatrin e ri është çështje procedure.
Le të shpresojmë se PD do rritet në zgjedhjet e ardhshme nga ky teatralitet. Kështu fitojmë të gjith , edhe Teatrin e ri, edhe PD-në e teatralizuar.


Krahasimi që duhet të bëjmë me Gjermaninë për “protestën”
Krahasimi mes opozitës së SHKUP-it dhe asaj të SHQUP-it
Rama tek “Syri”, si Luli tek Papuli
“Freedom House” na ka mbajtur me hatër
Përpjekje për t’u shfaqur si i “pari i drejtësisë”

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz,njoftime lokale pune, trajnime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2019 www.newzmagnet.com