“Freedom House” na ka mbajtur me hatër
Nga Mero Baze

Shqipëria mbetet ende “me një sy mes qorrave”, sa i përket indeksit të demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse vitin që shkoi kanë ndodhur disa ngjarje të rënda për demokracinë.
Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, ku opozita ka djegur mandatet e deputetit në mënyrë të pakthyeshme, duke penalizuar veten nga jeta parlamentare, dhe duke dështuar dyfish, pasi në vend të mandatëdjegurëve, hynë në Parlament një listë që të bën të mallkosh veten që ke Parlament.
Mjafton kaq që Shqipëria të quhet vendi me jetën më të keqe parlamentare në rajon, për shkak të asaj që bëri opozita.
Tre muaj më pas ndodhi atentati i dytë i madh ndaj demokracisë në Shqipëri. Opozita bojkotoi zgjedhjet lokale, ndërsa presidenti ndërhyri si krye-opozitar në këtë proces, duke caktuar dhe një datë tjetër zgjedhjesh, më 13 tetor, për të cilën nuk e mori askush seriozisht.
Kështu, brenda gjashtë muajsh, Shqipëria u kthye nga një shtet demokratik pluralist, në një shtet demokratik monist, ku gjithë pushteti qëndror dhe lokal është në duar të një partie. Natyrisht, jo për faj të saj.
Do të mjaftonin këto dy zhvillime tejet negative, që ne të ishim diku andej nga fundi i listës.
Por duket se “Freedom House” na ka mbajtur me hatër në këtë pikë, duke e arsyetuar gjëndjen, si një eksperiment politik të dështuar të opozitës.
Por nuk janë vetëm aktet publike të opozitës, ato që e dëmtojnë standardin e demokracisë, por janë dhe ato që ngjajnë ndonjëherë si akte demokratike të kryeministrit Rama.
Dhe në këtë pikë, gjëja më negative më duket tendenca e qartë nga kryeministri i vendit, që të zgjedhë kundërshtarin e tij. Natyrisht të zgjedhë për kundërshtar, atë që ka më të lehtë për ta mundur.
Kohët e fundit kjo është më e dukshme. Në kampin opozitar, edhe pse Lulzim Basha duket si aktor i dobët dhe pa perspektivë, në fakt është i vetmi që mund t’i mbetet në dorë opozita, në rrugën drejt pushtetit.
Por kryeministri duket se po përpiqet për dikë tjetër. Ai po vazhdon të shpresojë dhe po investohet herë pas here, që përballë tij, të ketë përsëri Metën dhe një pasardhës të familjes Berisha, të cilët janë në një aleancë të heshtur kundër lidershipit të Bashës.
Paqja e zgjatur me Metën, e cila ngjalli jo pak hilaritet tek opozitarët e Bashës, duket se është një skemë e menduar për të shkuar më tej.
Nesër në mbrëmje për shembull, do të jetë mysafir tek një televizion i ri, që blen “like” në Azi dhe Kinë që të duket i shikuar, ndërkohë që normalisht ka 300 shikues ne transmetim direkt online, dhe që është investim direkt i familjes Berisha, me zyra të përkohëshme në pallatin e familjes Meta.
Redaksia është dukshëm një lavatriçe e parave të korrupsionit të Berishës dhe Metës, por Rama e ka përzgjedhur ta legjitimojë si televizion normal, pasi me sa duket i duhet përballë Meta e Berisha.
Me këtë rast dhe ata i shtyn të harxhojnë ca para më shumë për media, nga ato që kanë vjedhur, edhe ua ushqen ëndrrën që të jenë rivalë të tij në finale më 2021.
Ky është një nga ato dëmet e fshehta të demokracisë, që mbulohet me qëndrime të moderuara ndaj mediave opozitare. Madje kjo mund të na përmirësojë indeksin e lirisë së shtypit.
Është e kundërta e shkollës Berishës. Ai televizionet armike i gjobiste, redaksitë kritike, ose i digjte, ose i rrethonte me policë, gazetarët kritikë i linçonte publikisht, i rrihte, ose u hidhte makinat në erë.
Edi Rama ka qetësinë dhe cinizmin e duhur për t’u dukur i moderuar dhe për t’i “përfillur”, duke e ditur shumë mire çfarë janë.
Dhe kur të gjithë mendojmë që po e bën si “qokë” për një medie kritike, në fakt po e bën për të rritur peshën e armiqve të tij të dobishëm në skenën politike, “armiqtë” që janë dhe koletarali më i mirë që i siguron atij fitoren.
Natyrisht, duke i dëshpëruar njerëzit që mendojnë se ai do t’u çonte mediave të tilla OFL-në, apo do hetonte origjinën e parave të tyre.
Këtë truk, “Freedom House” nuk e kap dot në raportin e  saj. Madje kam frikë se mund ta klasifikojë si një shkallë e lartë demokracie. Ndaj them se na ka mbajtur me hatër.


Krahasimi që duhet të bëjmë me Gjermaninë për “protestën”
Teatraliteti i opozitës në sheshin para Teatrit
Krahasimi mes opozitës së SHKUP-it dhe asaj të SHQUP-it
Rama tek “Syri”, si Luli tek Papuli
Përpjekje për t’u shfaqur si i “pari i drejtësisë”

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz,njoftime lokale pune, trajnime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2019 www.newzmagnet.com