Rama, homazh për dom Ndre Mjedën. Mesazhi: Kreshnik nga prejardhja dhe karakteri i një personaliteti të fortë, që nxjerr krye edhe në poezitë më delikate “Guxo”
Kryeministri Edi Rama ka postuar në adresën e tij homazhin e radhës, për Dom Ndre Mjedën. Pasi vlerëson këtë figurë historike dhe të letra shqipe, Rama e cilëson atë një kreshnik nga prejardhja dhe karakteri dhe jep një mesazh përmes poezisë së tij “Guxo”!

Postimi i plotë i Ramës:
💐HOMAZH
Dom NDRE MJEDA, një nga klasikët e gjuhës, letërsisë dhe përpjekjeve shqiptare ndërroi qetësisht jetë në qelen e Kuklit, në gusht të vitit 1937.
Ky “pastor bonus”, në shëmbëlltyrën e Shëlbuesit t’vet, për të cilin Ernest Koliqi ka shkruar se “ia len dalë poetëve ma të ardhangët latinë”, prejardhjen e kishte prej Kryeziut të Pukës.
Kreshnike prejardhja, kreshnik dhe karakteri i një personaliteti të fortë, që nxjerr krye edhe në poezitë më delikate të Domit, siç shfaqet ma s’miri tek poezia e tij “Guxo!”:
“Lundërtar qi s’rrezikohet
Kur asht deti shkumb e valë,
Vetë me vedi mos t’ankohet
Se i shkoi dita pa fitim.
Tuj u tallë e tujpritue,
Kurrgjasend nuk qitetn’dritë;
Çfarëdo sendi me fitue
Trymni lipet e guxim”
“Mijëra muzikalitetet e njimbëdhjetërrokëshit të tij”, që Camaj ia pat lëvduar këtij qëndistari të fjalës shqipe, përshkruajnë një aspekt të këtij vjershëtari të bekuar si pak të tjerë nga Muzat dhe Hiret. Dom Ndre Mjeda rrahu për dekada qendra autoritative universitare.
Diku çeli shkolla edhe vetë, diku tjetër u kujdes me përkushtim për të vobektët, diku u thellua në studimet albanologjike, diku tjetër akoma i dha tharm jetës politike shqiptare, si përfaqësues i zgjedhur i grigjës së vet në ma t’parin Parlament shqiptar.
Jeta e Dom Ndre Mjedës, e pasur e frymëzuese, mishërohet bukur fort në atë qelë dhe atë kishëz neoklasike të mrekullueshme, kushtuar Shën Shtjefnit Protomartir, të cilën e ngriti me duart e veta rrëzë Malit të Kuklit në Shkodër, n’agim të të njizetit qindvjet – fatmirësisht e rimëkëmbur sot nga i palodhuri Dom Nike Ukgjini.
Ndërsa vepra e Dom Ndresë është një “selva morale e spirituale”, të cilën i madhi Claudio Monteverdi, sikur t’i kishte qenë kohanik, nuk do kishte ngurruar t’ia përjetësonte në kompozimet e tij të përkora të Rinascimento-s së vonë.
“In memoria aeterna manet iustus”
#TëPAHARRUESHËM🙏


E pësoi si Bayern në finalen e Champions me Manchester, Cungu: “Nuk është fundi i botës”
Video/ Dramë kurbinase në Elbasan: Hapoel Beer Sheva përmbys Laçin me dy gola në shtesë
“Shpresova vetëm të ishin në ditën Jo”: Martini pranon gabimet e Teutës e evidenton supremacinë e Granadës
Video/ Granada ‘shpërthen’ në Niko Dovana: poker Teutës që del jashtë Europa League
“Karrigia e tij është bosh”: dhimbja e nxënësve dhe kolegëve për shuarjen e mësuesit nga Pogradeci prej Covid 19!

Rreth Nesh


NEWZMAGNET eshte magneti juaj per lajme nga bota dhe vendi, argetim, showbiz, njoftime, etj
Te gjitha te rejat e fundit do ti gjeni tek ne!
Per me shume informacion ose per aplikime, na kontaktoni ne newzmagnet@gmail.com
Ju Mirepresim!

  • Copyright © 2020 www.newzmagnet.com